Secondary Adv

Alarm për ndotjen në Elbasan e Krujë, lejet mjedisore ende me standarde të vitit 2005


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se 21 leje mjedisore në Elbasan dhe Krujë janë miratuar gjatë viteve 2023–2025, duke përdorur standarde të shkarkimeve të ujërave të ndotura të vitit 2005.

Sipas auditimit, kufijtë e lejuar të ndotjes janë më të lartë se standardet aktuale evropiane, duke krijuar rrezik për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.


Në Elbasan dhe Krujë, 21 leje mjedisore janë miratuar gjatë viteve 2023–2025, duke përdorur norma për shkarkimet e ujërave të ndotura të përcaktuara që në vitin 2005. Megjithëse lejet janë në përputhje me legjislacionin shqiptar, kufijtë e ndotjes që ato lejojnë janë më të lartë se standardet evropiane, duke krijuar rrezik për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.


Problematika është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në auditimin për ndotjen e mjedisit në dy bashkitë. Nga 21 lejet e identifikuara, 16 u përkasin instalimeve në territorin e Elbasanit dhe 5 atyre në Krujë. Ato janë miratuar duke përdorur kufijtë e shkarkimeve të lëngëta të përcaktuara në vendimin e qeverisë nr. 177, datë 31 mars 2005.


Sipas auditimit, ky vendim nuk është përditësuar në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe standardet e Bashkimit Evropian për kontrollin e ndotjes industriale. Ndryshe nga praktikat aktuale evropiane, të cilat bazohen te Teknikat më të Mira të Disponueshme (TMD), legjislacioni shqiptar vijon të përdorë kufij të përcaktuar më shumë se dy dekada më parë.


Kjo ka krijuar një situatë ku aktivitetet ekonomike mund të respektojnë kushtet e lejeve mjedisore, por të shkarkojnë ndotës brenda kufijve më të lartë sesa ata që do të lejoheshin sipas standardeve bashkëkohore evropiane. KLSH e konsideron këtë një mangësi që dobëson mbrojtjen e burimeve ujore dhe të komuniteteve përreth.


Në Elbasan, një pjesë e konsiderueshme e lejeve lidhen me instalime në Bradashesh dhe zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Leje janë dhënë gjithashtu për aktivitete në Mjekës-Shirgjan, Gostimë, Kajan, Papër dhe Tregan.

Në Krujë, subjektet e përfshira ushtrojnë aktivitet në Krastë, Qerekë të Niklës, Fushë-Krujë dhe Budull.


Standardet e reja, Ministria e Mjedisit pa përgjigje ndaj kërkesës së AKM-së

Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka pranuar nevojën për rishikimin e rregullave. Në përgjigjen e dhënë audituesve, institucioni argumenton se teknologjitë për trajtimin e ujërave industriale kanë përparuar ndjeshëm që nga viti 2005 dhe se normat aktuale duhet të jenë më specifike dhe, në disa raste, më të rrepta, sipas llojit të aktivitetit.


AKM sqaron se, si institucion zbatues, është e detyruar të përdorë kuadrin ligjor në fuqi. Megjithatë, më 28 janar 2025, agjencia i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit një dokument për përcaktimin e Teknikave më të Mira të Disponueshme, duke kërkuar ngritjen e një grupi teknik për përgatitjen e standardeve të reja.


Sipas KLSH-së, deri në përfundimin e auditimit, Ministria e Mjedisit nuk i ishte përgjigjur kësaj kërkese dhe grupi teknik nuk ishte ngritur.

Për pasojë, procesi i përditësimit të standardeve kishte mbetur pezull, ndërsa miratimi i lejeve kishte vijuar mbi bazën e normave të vitit 2005.

KLSH rekomandon që Agjencia Kombëtare e Mjedisit t'i propozojë ministrit ndryshimet e nevojshme ligjore për përafrimin e standardeve shqiptare me ato të BE-së.


Synimi është ulja e kufijve të lejuar të shkarkimeve dhe, rrjedhimisht, zvogëlimi i rrezikut të ndotjes së ujërave në Elbasan dhe Krujë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat